
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO është duke e monitoruar situatën në Kosovës me kujdes, dhe se forcat e saj janë të gatshme, të afta dhe vigjilente, raporton Gazeta10.
Në një intervistë për France 24, ai ka folur për situatën në veri të Kosovës të krijuar së fundmi.
Ai ka thënë se janë duke bashkëpunuar me Bashkimin Europian teksa ka thënë se palët duhet të përmbahen nga retorika e eskalimiit të konfliktit.
“Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe vigjilente. Ato janë duke e vëzhguar situatën me shumë kujdes. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Bashkimin Evropian. Kërkoj nga palët që të përmbahen nga retorika që kontribuon për eskalimin e konfliktit dhe ta ndihmojnë uljen e tensioneve”, tha Stoltenberg.
Më tej, ai ka thënë se forcat e NATO-së janë faktor kryesor për stabilizimin e rajonit dhe se ata ende janë të pranishëm me 4.000 anëtarë.
“NATO-ja është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë. Kemi ndihmuar për t’u dhënë fund dy luftërave entike, së pari në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona ende janë të pranishme përmes forcave të NATO-s, KFOR-i ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe të situatës”- tha ai.
Kujtjojmë se veriu i Mitrovicës është ende nën tension meqë serbët nuk po i largojnë barrikadat nga rruga pavarësisht se Kosova ka shtyrë zgjedhjet lokale në komunat veriore. / Gazeta10