
Krerët e Shtetit nuk e kanë bërë ende asnjë reagim për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja Vjosa Osmani.
As kryeministri Albin Kurti e as Kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk e kanë thënë ende asnjë fjalë për këtë rast, që ka ndodhur dje gjatë ditës.
Reagim në profilet e saj në rrjete sociale nuk ka bërë as Kryediplomatja Donika Gërvalla, derisa Ministria që ajo udhëheq ka lëshuar dje një reagim, ku e ka cilësuar jo dinjitoz trajtimin që i është bërë Osmanit dhe ka thënë se po mbledhin informata për rastin.
Presidentja Vjosa Osmani është përballur me një incident të rëndë në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme.
Bekim Kupina, Këshilltar për Media në presidencë, ka deklaruar se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes, gjë të cilën nuk e ka lejuar Osmani.
Sipas Kupinës, sigurimi më pas ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten dhe se pastaj ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.Për këtë rast, ende nuk ka ndonjë reagim nga Kryeministri Albin Kurti dhe as Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Reagimi i vetëm zyrtar është ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që e ka cilësuar si trajtim jo dinjitoz ndaj Osmanit.MPJD ka thënë se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.