
Punëtorët e Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Pallatin e Drejtësisë, po e kanë të vështirë t’i kryejnë punët si pasojë e mungesës së oksigjenit brenda objektit. Ata janë ankuar se po detyrohen të punojnë në temperatura deri në 30 gradë. Si pasojë e kësaj, 20 zyrtarë kanë kërkuar trajtim mjekësor ndërsa 2 nga ta kanë pësuar arrest kardiak. Nga ministria e Punëve të Brendshme thonë se kanë angazhuar një kompani për hajen e dritareve dhe se e njëjta pritet që së shpejti t’i nisë punimet. E deri atëherë, punëtorët kanë vendosur që të pezullojnë një pjesë të punëve.
Raporti: Saranda Aliu, Kamera: Arlind Morina.
I gjithë objekti është i mbushur me dritare, por asnjëra nga to nuk hapet.
E për këtë, ajri nga jashtë nuk mund të depërtoj, ndërsa pajisjet e ventilimit kanë mbetur vetëm si dekor.
Dhjetëra zyrtarë që punojnë në objektin C, të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, detyrohen t’i kryejnë punët në temperatura deri në 30 gratë.
E rreth 20 punëtorë nga mungesa e oksigjenit kanë kërkuar trajtim shëndetësor, ku dy nga ta kanë pësuar edhe arrest kardiak.
Për këtë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur që nga e hëna deri në arritjen e një zgjidhjeje të kryhen vetëm punët emergjente.
E hiç më mirë nuk i kanë punët as punëtorët e Gjykatës Themelore.
Nga Sindikata e Punëtorëve të këtij institucioni kanë thënë se kërkesat e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhër, ndërsa nga problemet që po ua shkakton kjo situatë, po e kanë të vështirë ta vazhdojnë punën.
Pa dhënë detaje, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se shpejti do të bëhet një zgjidhje.
Televizioni ka kontaktuar me kompaninë në fjalë, nga e cila kanë thënë se kontrata është nënshkruar në shtator, ndërsa punimet do të nisen kur të vjen e gjithë materiali ndërtimor nga jashtë.
Sipas tyre, data e përfundimit të punimeve është më 7 prill 2023, mirëpo do të mundohen që hapjen e dritareve ta bëjnë edhe me herët.
Në një ekspertizë profesionale të autorizuar nga Prokuroria para 7 vjetësh është konstatuar se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara./Gazeta10