
Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Nebojsha Stefanoviq, thotë se në Serbi po përdoret Kosova për ta rrëzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta10.
Ai ka përmendur të gjitha qarqet që sipas tij po duan ta rrëzojnë Vuçiqin.
“Disa autorë të proklamatave për mbrojtjen e Kosovës e kanë bërë gati profesionalisht për dekada. Disa prej tyre, me sa duket, nuk dinë se çfarë bëjnë dhe mendojnë se janë OJQ dhe iniciatorë të peticioneve, ndërsa në fakt janë politikanë dhe deputetë. Të tretët janë me të vërtetë nga disa OJQ ose janë intelektualë “të lirë”, por do të donin të ishin në një lloj qeverie, mundësisht të komandonin ushtrinë dhe policinë. Të gjithë së bashku, sado që përpiqen të jenë ndryshe, duan vetëm një gjë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se këtu ata nuk angazhohen për të korrigjuar padrejtësi historike por ata kanë qëllim politik.
“Kjo nuk është Kosova si pjesë e Serbisë, as nuk korrigjon një padrejtësi historike, dëshira e tyre është thjesht politike, për të rrëzuar Aleksandar Vuçiqin”. / Gazeta10