Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Superfuqia e hendbollit vjen në Prishtinë

Gazeta10
13 October 2023 - 15:02

Hendbollistet e Kosovës, të enjten mbrëma, pësuan disfatë të thellë nga Danimarka, në ndeshjen e parë të fazës grupore të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Ndaj superfuqisë së hendbollit, Kosova do të luajë edhe në ndeshjen e dytë të grupit.

Kosova – Danimarka luhet të shtunën nga ora 20:15 në “Pallatin e Sportit” në Prishtinë.

Të enjten mbrëma, Kosova u mposht 44:17, që ishte humbja e dytë më e thellë në kualifikime të Evropianit.

Humbja më e thellë është ajo që Danimarka ia shkaktoi Moldavisë, 41:13, në vitin 1993.

Danezet ishin në formë të lartë, dhe gjashtë prej tyre shënuan nga katër apo më shumë gola.

Kosova ka luajtur në skenën evropiane të kualifikimeve në vitin 2018 dhe 2020, por nuk ka shënuar fitore në 12 ndeshjet e luajtura.

Ndërkohë, suksese shumë të mëdha kanë danezet që ishin pjesëmarrëse në 15-të ngjarjet e kaluara evropiane.

Kanë tri trofe të fituar, ndërsa në edicionin e vitit të kaluar ishin nënkampione.

Danimarka në vitin 2021 ishte renditur e treta në Botëror.

“Pas fitores së rëndësishme do të udhëtojmë në Kosovë me pritshmëri për një tjetër ndeshje të mirë, për ta futur veten në një pozitë ku do ta kishim më afër kualifikimin në ‘EHF Euro 2024’. Jemi të fokusuar për të sjellë dy pikë tjera nga Prishtina”, ka thënë përzgjedhësi i Danimarkës, Jesper Jensen, për “Eurohandball.com”.

Në Grupin 8 është edhe përfaqësuesja e Polonisë. Ishte edhe Britania e Madhe, por u tërhoq nga gara.

Evropiani për hendbolliste në vitin tjetër organizohet në Austri, Hungari dhe Zvicër.

Pas Danimarkës, Kosova më 3 prill të vitit të ardhshëm e pret Poloninë. Ndeshjen e fundit e luan në udhëtim te Polonia më 7 prill të vitit 2024.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.