Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Superliga e Kosovës & “Kampioni vjeshtor” – një dashuri e pandashme  

Gazeta10
29 December 2023 - 16:08

“Kampioni vjeshtor” është një epitet që përdoret në shumë pak (mos me thënë fare) vende në botë.

Në Kosovë mund ta hasim shpesh në çdo sport të mundshëm.

Sidomos në futboll, me kampionët vjeshtor që llogariten ato ekipe që përfundojnë në vendin e parë në tabelë pas përfundimit të sezonit vjeshtor (gusht – dhjetor).

Mirëpo, cili është ekipi i fundit që u shpall kampion në fund pasi ishte i pari në fund të sezonit vjeshtor?

Klubi i fundit që arriti të shpallet kampion në fund pasi doli i pari në vjeshtë është Ballkani sezonin e kaluar, mirëpo para Ballkanit, për herë të fundit këtë e kishte bërë Trepça ’89 në sezonin 2016/17.  

2017/18

Llapi pozicionohej i pari në tabelë pas 18 ndeshjeve me 34 pikë të tubuara. Në fund, kampion i atij sezoni shpallej Drita, e cila në atë periudhë kohore gjendej në pozitën e 3-të me 30 pikë.

2018/19

Në këtë sezon, pas 17 ndeshjeve në stinorin vjeshtor, Prishtina zinte vendin e parë në tabelë me 40 pikë, një më shumë se Feronikeli, që në fund të sezonit shpallej kampion.

2019/20

Me 34 pikë, pas 17 ndeshjeve, Ballkani ishte i pari. Në vendin e dytë ishte SC Gjilani, i cili ndiqej nga pas prej Prishtinës. Në vendin e katërt ishte Drita, e cila në fund të sezonit shpallej kampione për herë të tretë në histori të klubit.

2020/21

Kësaj here ishte Drita që dimëronte në vendin e parë në tabelë. Kishte 41 pikë, tri më shumë se Ballkani në vendin e dytë, gjersa kishte 9 pikë më shumë se Prishtina në vendin e tretë. Në fund, kampione u shpall Prishtina, duke lënë pas dy skuadrat e lartpërmendura.

2021/22

Në këtë sezon, SC Gjilani ishte i pari në përfundim të stinorit vjeshtor. Pas 18 ndeshjeve të zhvilluara në gjysmën e dytë të vitit 2021, skuadra gjilanase kishte arkëtuar 35 pikë. Një më pak kishte Drita, gjersa poshtë Dritës gjendej Ballkani me 33 pikë. Kampion në fund nuk u shpall Gjilani e as Drita, mirëpo Ballkanin, për herë të parë në histori.

Ballkani sezonin e kaluar (2022/23) shkonte në pushimet dimërore me 41 pikë, tri më shumë se Drita në vendin e dytë, si dy skuadrat konkurrente për titull.

Edhe këtë sezon, Ballkani dimëroi në vendin e parë. Kësaj radhe me 40 pikë, gjashtë më shumë se Drita e Llapi që kanë nga 34 pikë.

A do të përsëritet historia e Ballkanit, apo ajo e viteve të kaluara? Mbetet të shihet në fund të sezonit!

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.