
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se grupet ekstremiste kanë organizuar bllokimin e rrugëve në veri, raporton Gazeta10.
Ai ka ftuar qytetarët e sidomos ata serbë të mos iu bashkohen këtyre grupeve.
Më tej, ai ka thënë se sot Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një ish zyrtar policor i cili ka marrë pjesë në sulme ndaj zyrave të KKZ-së.
Tutje, ai ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalojë institucionet e Kosovës për të ofruar siguri dhe vendosur drejtësi para ligjit.
Këtu keni statusin e plotë:
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç.
I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri.
Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”, ka shkruar Svecla në llogarëin e tij në Facebook. / Gazeta10