
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit. Një gjë e tillë, sipas tij, ka ndodhur për shkak se e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje. Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët, sipas tij, ndihen të rrezikuar nga sundimi i ligjit.
Pavarësisht situatës së krijuar, institucionet e Kosovës kanë vlerësuar se nuk ka asnjë arsye që të mos mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat e veriut të vendit.
Ofrimin e gjithë infrastrukturës së sigurisë e ka garantuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka raportuar të premten në komisionin për integrime evropiane.
Pikërisht, lidhur me rrezikun e shtyrjes së zgjedhjeve në veri, anëtarët e këtij komisioni nga radhët e partive opozitare kanë kërkuar të dinë nga ministri Sveçla.
Ky i fundit ka thënë se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen për shkak të disa bandave kriminale.
Ministri Sveçla ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri, sepse sipas tij, ajo e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje.
Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët, sipas tij, ndihen të rrezikuar nga sundimi i ligjit.
Sveçla ka thënë se gjendja në veri nuk është e kënaqshme, por sipas tij, ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.
Ai ka shtuar se Kosova nuk ka humbur asgjë nga dorëheqjet e zyrtarëve të komunitetit serb. /Gazeta10/