Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Syla i OVL-së: Dënimet prej 45 vitesh në Speciale janë kërkesë e Serbisë, jo e drejtësisë

Gazeta10
09 February 2026 - 18:43

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se dënimet e kërkuara nga Prokuroria e Gjykatës Speciale prej 45 vitesh janë politike dhe nuk bazohen në prova, por sipas tij përfaqësojnë drejtpërdrejt kërkesat e Serbisë.

Ai në intervistë të drejtpërdrejtë për emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Syla tha se që nga fillimi i këtij procesi ka qenë e qartë se Gjykata Speciale është ndërtuar mbi prova të ngritura nga prokuroria serbe.

“Duke e pasur parasysh se me çfarë ‘provash’ është nisur kjo gjykatë, të cilat burojnë nga prokuroria serbe, është e qartë se kemi të bëjmë me një kërkesë të Serbisë. Në rrethana të ngjashme, edhe Serbia do të vepronte njësoj”, u shpreh ai.

Sipas Sylës, kërkesa për dënime nuk reflekton drejtësi, por ndëshkim politik selektiv. “Mund të themi lirshëm se ky dënim është më shumë kërkesë e Serbisë sesa e vet Prokurorisë Speciale. Po shihet qartë se procesi është politik dhe aspak i bazuar në prova”, theksoi nënkryetari i OVL-UÇK-së.

Ai shtoi se zhvillimet e fundit nuk janë të papritura për OVL-UÇK-në, duke rikujtuar se kjo organizatë ka qenë kundër Gjykatës Speciale që nga themelimi i saj. “Ne e dimë qasjen e kësaj gjykate. Që nga momenti kur është folur për themelimin e saj, kemi qenë kundër, sepse e kemi ditur se çfarë drejtimi do të merrte”, deklaroi Syla.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.