
Shoqata që angazhohet për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të personave me sindromë Down në Kosovë, Down Syndrome Kosova (DSK), i është drejtuar me një kërkesë urgjente kompanisë së sigurimeve “SIGAL UNIQA Group Austria” për rastin e një fëmijë me sindromë Down, të cilit i është refuzuar mundësia për t’u siguruar.
“Përmes këtij e-maili ju drejtohemi me kërkesë urgjente për të trajtuar çështjen e sigurimit shëndetësor për fëmijën Yll Janjeva me sindromë Down, të cilit i është refuzuar mundësia për t’u siguruar, në bazë të informacionit që kemi pranuar nga prindi i fëmijës z. Gëzim Janjeva”.
Shoqata tha se fëmija dhe familja e tij janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme, duke përfshirë refuzimin e vazhdueshëm për sigurim nga kompanitë e sigurimeve. Për këtë DSK tha se përbën diskriminim të drejtpërdrejtë.
Kjo bie ndesh me të drejtat themelore të garantuara me legjislacionin e Republikës së Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare, tha shoqata ndërsa rikujtoi disa prej ligjeve që mbrojnë këtë të drejtë.
• Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton mbrojtjen dhe barazinë e të drejtave të qytetarëve pa dallim, përfshirë të drejtën për kujdes shëndetësor.
• LIGJI Nr. 05/L -045 Ligji Për sigurimet
• Rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK)
• Ligji Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi
• Ligji nr. 04/L-249 për Sigurimet Shëndetësore, thekson qasjen e barabartë për sigurimin shëndetësor dhe ndalon çdo formë diskriminimi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Duke u bazuar në të drejtat e garantuara për fëmijët me sindromë Down sipas legjislacionit në fuqi, sigurimi shëndetësor për ta përfaqëson një të drejtë themelore që nuk duhet të cenohet nga asnjë institucion, tha shoqata.
“Njëkohësisht, sigurimi shëndetësor është një domosdoshmëri e patjetërsueshme për përmbushjen e nevojave të tyre shëndetësore dhe jo një privilegj. Çdo refuzim për sigurim jo vetëm që rëndon jetën e fëmijës dhe familjes së tij, por përbën një shkelje të qartë të standardeve ligjore dhe parimeve etike që rregullojnë sektorin e sigurimeve”.
Në shkresën e nisur, Down Syndrome Kosova kërkoi që kompania e sigurimeve të rishqyrtojë rastin e e fëmijës në fjalë dhe t’ia mundësojnë sigurimin e tij shëndetësor.
“Shoqata Down Syndrome Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me ju në çdo hap për të garantuar që të drejtat dhe nevojat e këtij grupi të qytetarëve të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Megjithatë, nëse një qasje e tillë nuk realizohet, Shoqata, në përputhje me mandatin e saj, do të jetë e detyruar të ndërmarrë hapa të tjerë për të luftuar diskriminimin dhe padrejtësitë që u bëhen anëtarëve tanë nga kompanitë e sigurimeve. Për çdo informacion shtesë mbi rastin ose për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit, ju ftojmë të na kontaktoni”.