
Raporti: Hana Marteti / Kanal10
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet gjatë kësaj jave në dy seanca plenare, në njërën prej të cilave do të shqyrtohet peticioni për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti. Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket tërheqjes së trustit, derisa nga PDK kërkuan që deputetët të votojnë pro tërheqjes së Trustit. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, nga këto dy subjekte folën edhe për dialogun Kosovë-Serbi, e ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kuvendi i Kosovës të enjten do të shqyrtojë peticionin e nënshkruar nga 17 mijë qytetarë për tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale nga Trusti.
Kështu ka vendosur të hënën kryesia e kuvendit, gjatë mbledhjes së të cilës u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen dy seanca plenare.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se vazhdojnë të kenë qëndrim të pandryshueshëm dhe se nuk e mbështetin tërheqjen e 30% të kursimeve
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se masat e marra nga qeveria deri tani nuk kanë qenë adekuate, andaj edhe sipas tij për shkak të situatës së rënduar ekonomike, tërheqja e një pjese të trustit është e nevojshme.
Gjatë adresimit për medie, pas mbledhjes së kryesisë, Kusari – Lila foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, e presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ajo u shpreh se dialogun e konsiderojnë si platform të vetme për normalizim të raporteve mes dy vendeve, ndërsa Asociacionin nuk e mbështesin.
Ndërkaq, Tahiri nuk la pa përmendur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, derisa kritikoi krerët e shtetit për mos reagim.