
Fotosesioni më i fundit i Rihannës për revistën 72 është kthyer në një nga editorialet më të komentuara të momentit, duke rikujtuar edhe një herë pse artistja konsiderohet një nga ikonat më të rëndësishme të modës së kohës sonë.
Këngëtarja shfaqet në një seri imazhesh mbresëlënëse që kombinojnë modën e lartë me simbolikën e fuqisë, identitetit dhe mëmësisë.
E fotografuar nga Szilveszter Makó, i njohur për bashkëpunimet me emra si Miley Cyrus, Elle Fanning dhe Cate Blanchett, Rihanna pozon me krijime të veçanta nga Jonathan Anderson për Dior dhe Alessandro Michele për Valentino. Për realizimin e editorialit është kujdesur edhe Edward Enninful, një nga figurat më me ndikim në industrinë e modës.
Editoriali prej 18 faqesh mban titullin “La Reine de l’Espace” (“Mbretëresha e Hapësirës”) dhe shkon përtej së modës. Projekti është konceptuar si një homazh ndaj mbretëreshave historike me ngjyrë, forcës së grave dhe rolit transformues të mëmësisë, duke e vendosur Rihannën në qendër të një narrative të fuqishme vizuale.
Duke folur për bashkëpunimin e tyre afatgjatë, Edward Enninful u shpreh se marrëdhënia profesionale me Rihannën është ndërtuar mbi besim dhe respekt të ndërsjellë. Ai theksoi se artistja vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të kulturës moderne, duke ndikuar jo vetëm në muzikë, por edhe në modë dhe art.
Vetë Rihanna ndau në rrjetet sociale disa momente nga prapaskenat e setit fotografik. Në një video të publikuar prej saj, artistja shihet duke mbërritur në vendin e xhirimeve me vajzën e saj në krahë, një moment që tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave.
Këngëtarja u bë nënë për herë të tretë vetëm pak muaj më parë. Ajo dhe partneri i saj janë gjithashtu prindër të dy djemve, RZA dhe Riot. Rihanna ka folur shpesh për dëshirën e saj për të pasur një familje të madhe, duke theksuar se dashuria dhe lumturia janë elementët më të rëndësishëm në rritjen e një fëmije.