Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Tekstet shkollore, Bajrami: Qeveria po ikë e s’po ballafaqohet me argumentet tona

Gazeta10
04 Shtator 2023 - 13:10

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza në drejtim të mazhorancës për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për furnizimin me teksteve shkollore.

Bajrami ka marrë si shembull mungesën e bibliotekës në Kaçanik, e që prindërit detyrohen të shkojnë në Ferizaj për të blerë tekste shkollore.

“Sot pamja në Kuvendin e Kosovës tregon se ku është qeveria e shpresës. Dikur, më 1 shtator nxënësit i gjetën librat mbi banka. Këtë vit, kjo qeveri dështoi, dhe u tha prindërve që meqenëse nuk po mund të përballojmë ne koston, përballuni ju me të”, tha ajo.

Për këtë Bajrami kritikoi mazhorancën dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Me 1 qershor këtë vit ministrja Nagavci ka thënë se nxënësit do t’i kenë librat, tash ndryshoi vendimi dhe nga klasa 6 deri 9, nxënësit t’i marrin librat e vjetër. Sot qeveria e 51% nuk është në Kuvend. Nuk e dimë prej kujt po ikni, në qoftë se e keni me të drejtë, atëherë pse sot nuk i keni deputetët e mazhorancës në Kuvend të përballen me kritikat tona”, u shpreh ajo.

Bajrami, ka thënë se do të ketë nxënës që deri në fund të vitit shkollor, “nuk do t’i kenë librat në bankë”./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.