
“Thinking of You” u krijua për të nderuar të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999. Që atëherë, instalacioni është shndërruar në një simbol global solidariteti.
Përmes fustaneve të dhuruara nga të mbijetuar dhe mbështetës nga më shumë se 20 vende, ajo e transformon veshjen e përditshme në një shprehje kolektive të kujtesës, qëndresës dhe mbështetjes.
Qindra veshje të dhuruara tani rrethojnë Qendrën Nobel për Paqe dhe shtrihen përgjatë rrugës Torggata, duke nxitur reflektim, dialog dhe veprim.
Në përurim fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e Qendrës Nobel për Paqe, Kjersti Fløgstad, artistja Alketa Xhafa Mripa, dhe drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji e prezanton këtë ekspozitë në partneritet me Norges Kvinne Lobby, Mental Health and Human Rights Info, Qendrën Nobel për Paqe dhe Ambasadën Britanike në Norvegji, me përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, ARCON-it dhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Norvegji.