
Thomas Tuchel ka rinovuar kontratën me kombëtaren angleze deri në vitin 2028.
Tuchel ka arritur marrëveshje me federatën angleze të futbollit për të qenë në krye të “Tre Luanëve” edhe në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.
Selektori 52-vjeçar e mori drejtimin e Anglisë gjatë vitit të kaluar dhe e udhëhoqi atë në kualifikimet e Kampionatit Botëror.
Anglia në kualifikime zuri vendin e parë në grupin K, ku ishin edhe Shqipëria, Andorra, Letonia dhe Serbia.
Misioni i parë i madh i Tuchel në drejtim të kombëtares angleze do të jetë Kupa e Botës që do të mbahet këtë vit në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Tre Luanët” janë në kërkim të këtij trofeu që nga viti i largët 1966.
Tuchel do të vazhdojë të punojë me stafin me tij, që do të jenë pjesë e projektit të kombëtares britanike.
52-vjeçari për herë të parë është në krye të një kombëtare, pasi më herët ka qenë te klubet si Mainz, Dortmund, Paris Saint-Germain, Chelsea dhe Bayern Munich.