
Trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit ka mbetur “i ulët” gjatë javës së kaluar dhe “u dobësua më tej gjatë fundjavës”, tha të hënën kompania e inteligjencës detare Kpler, edhe pse Irani dhe Omani sinjalizojnë se një marrëveshje për lundrimin përmes kësaj rruge të rëndësishme ujore mund të jetë pranë arritjes, shkruan CNN.
Kalimet e konfirmuara ranë nga 15 të premten në 11 të shtunën dhe në gjashtë të dielën, tha Kpler. Rreth gjysma e këtyre udhëtimeve përdorën rrugën veriore të miratuar nga Irani, ndërsa rruga e 10 anijeve nuk mund të përcaktohej.
Teherani së fundmi publikoi një listë kërkesash që SHBA-ja duhet t’i përmbushë përpara se Irani të rihapë këtë pikë kyçe detare, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e naftës së papërpunuar në botë. Kërkesat përfshinin përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, tërheqjen e forcave ushtarake nga afërsia e Iranit dhe përfundimin e përhershëm të luftës.
Ndërkohë, trafiku përmes Ngushticës së Bab al-Mandabit në skajin jugor të Detit të Kuq, një tjetër rrugë kritike për tregtinë detare, është “dukshëm më aktiv, duke regjistruar 116 kalime gjatë së njëjtës periudhë”, shkroi Kpler në X.
Trafiku ditor atje është relativisht i qëndrueshëm, me 43, 37 dhe 36 anije që kaluan nëpër këtë rrugë ujore gjatë periudhës treditore, tha Kpler, pavarësisht shqetësimeve në rritje lidhur me shënjestrimin e anijeve në rajon nga grupi Huthi, i mbështetur nga Irani.