
Një burrë 44-vjeçar vrau tetë familjarë, përfshirë katër fëmijë, gjatë një darke familjare të dielën në mbrëmje në një banesë pranë Billings, Montana, përpara se të qëllonte veten dhe të ndërronte jetë.
Sipas një familjari, i cituar nga Associated Press, autori i dyshuar është identifikuar si Alan Smith. Brad Ireland, ish-bashkëshorti i njërës prej viktimave, tha se prindërit e Smithit i kishin kërkuar atij të largohej nga shtëpia disa javë përpara ngjarjes. Megjithatë, Smith u kthye papritur të dielën, kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.
Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje të madhe. Mes tyre ishte një grua në të 90-at, e cila përdorte karrige me rrota, dhe një vajzë vetëm 7 vjeçe.
Mes viktimave ishin Megan Ghekiere dhe dy fëmijët e saj me Ireland, Ouen Ireland, 13 vjeç, dhe Chloe Ireland, 7 vjeçe. Gjithashtu humbën jetën dy fëmijët e bashkëshortit aktual të Megan, Landon Ghekiere, 15 vjeç, dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeçe. Të vrarë mbetën edhe prindërit e Smithit dhe gjyshja e tij.
Sipas Jennifer Mercer, një fqinje dhe mike e familjes, Charlotte ishte ajo që telefonoi 911 dhe u përpoq të shpëtonte familjarët e saj. “Charlotte ishte heroina”, tha Mercer, duke përcjellë dëshirën e familjes që ky detaj të bëhej publik.
Policia mbërriti në banesë të dielën në mbrëmje pasi u raportua për të shtëna. Oficerët dëgjuan të shtëna nga pjesa e pasme e pronës, ndërsa pak më vonë shtëpia u përfshi plotësisht nga flakët. Hetuesit konfirmuan të martën se tetë persona kishin humbur jetën dhe se i dyshuari kishte pësuar një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri, e cila më vonë rezultoi fatale.
Zjarri e ka komplikuar ndjeshëm hetimin, pasi banesa është shkatërruar deri në themele dhe autoritetet kanë ngritur shqetësime për sigurinë strukturore të objektit. Zjarrfikësit luftuan me flakët deri rreth orës 1 të mëngjesit të së hënës. Përpjekjet për të ndërhyrë u vonuan, derisa zona u konsiderua e sigurt për ekipet e emergjencës.
Shtëpia ndodhej në një zonë rezidenciale jashtë kufijve të qytetit të Billings, ku nuk kërkohet instalimi i hidrantëve të zjarrit. Kjo rrethanë, së bashku me nevojën për të siguruar fillimisht vendngjarjen, ndikoi në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Familjarët thanë se Smith ishte kthyer në Montana pasi familja e tij ishte zhvendosur nga zona e Seattle. Pas divorcit të Megan Ghekiere-s dhe Brad Ireland rreth gjashtë vite më parë, Megan ishte vendosur në Montana me fëmijët. Aty ajo kishte takuar bashkëshortin e saj të dytë, Adam Ghekiere.
Prindërit e Alan Smith, Dana dhe Barb Smith, më pas u zhvendosën gjithashtu në Montana dhe blenë një shtëpi pranë vajzës së tyre. Gjyshja e Smithit, Evelyn Smith, jetonte në një qendër pensionistësh aty pranë.
Sipas Ireland, Alan Smith kishte jetuar me prindërit për vite me radhë, derisa ata i kërkuan të largohej nga shtëpia disa javë përpara masakrës. Ireland e përshkroi atë si një njeri shumë të izoluar, i cili kalonte pjesën më të madhe të ditës në dhomën e tij, përpara kompjuterit.
Ai tha gjithashtu se Smith kishte ndjekur studimet në Eastern Uashington University, por kishte pasur vështirësi të gjente një vend pune. Një kontroll i të dhënave kriminale në Montana dhe Uashington nuk tregoi se ai kishte qenë ndonjëherë i arrestuar apo i akuzuar për ndonjë krim.
Ireland tha se, me sa dinte ai, Smith nuk kishte qenë më parë fizikisht i dhunshëm, megjithëse mund të sillej në mënyrë verbalisht abuzive.
Adam Ghekiere, bashkëshorti i Megan dhe babai i dy fëmijëve të tjerë, ndodhej në punë në aeroportin e Billings kur dëgjoi në radio për një situatë me një person të armatosur. Ai telefonoi familjarët e tij dhe u nis me shpejtësi drejt shtëpisë.
Kur mbërriti, banesa ishte përfshirë nga zjarri. Dy orë më vonë, ai mësoi se bashkëshortja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën. Sipas tij, fëmijët nuk duhej të ishin në atë darkë, pasi familja zakonisht mblidhej të premteve dhe jo të dielave.
Ai e përshkroi ngjarjen si një akt të tmerrshëm, duke thënë se as fjala “përbindësh” nuk mjafton për të përshkruar autorin.
Dhimbja e familjes është shtuar edhe nga fakti se Charlotte, 12-vjeçare, ishte ajo që kërkoi ndihmë duke telefonuar 911. Babai i saj tha se vazhdon të dëgjojë në mendje fjalët që vajza i thoshte sa herë ai i shprehte dashurinë: “Të dua më shumë.”
Miq të familjes kanë hapur dy fushata online për mbledhjen e fondeve, me qëllim përballimin e shpenzimeve të funeralit dhe kostove të tjera që lidhen me tragjedinë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Billings dhe zonat përreth. Mercer e përshkroi familjen si shumë të dashur dhe të lidhur me njëri-tjetrin, duke thënë se fëmijët shkonin mirë mes tyre dhe se edhe pas divorceve, prindërit kishin ruajtur marrëdhënie miqësore.