Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Trepça rikthen në posedim pronën pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë

Gazeta10
21 September 2026 - 12:26

Ndërmarrja “Trepça” ka nisur lirimin dhe rikthimin në posedim të një parcele në Prishtinë, në afërsi të Fakultetit të Arteve, për të cilën posedon dokumentacionin e pronësisë.

Kështu thotë, Burim Hajdini, zyrtar për menaxhimin e pronave dhe aseteve në kuadër të “Trepçës”, i cili theksoi, se parcela nuk ka qenë në shfrytëzim nga ndërmarrja që nga paslufta.

Përveç lirimit të pronës, “Trepça” pretendon se ndër vite ka pësuar dëme të mëdha financiare për shkak të pamundësisë për ta shfrytëzuar pronën. Derisa, ndërmarrja ka edhe obligime tatimore që lidhen me këtë pronë në vlerë mijëra euro.

“Po, sot në vazhdën e lirimit të pronave të ndërmarrjes “Trepça Sh.A.”, sot gjendemi në Prishtinë. Pasi që Trepça e ka në pronësi këtë parcelë, ne kemi ardhur sot për me lirua. Që pas luftës ne nuk e kemi pas në shfrytëzim. Tani jemi duke vendosë edhe laurën që kemi vendosur para pak ditësh, edhe reklamën e Trepçës që do të thotë kjo është në pronësi të Trepçës. Gjithashtu të gjithë objektet përreth janë pronë, në pronësi të ndërmarrjes Trepça. Me disa nga lokalet këtu tashmë kemi edhe marrëveshje, që jemi të obliguar ashtu me i liruar si parking për me shfrytëzua”, thekson Hajdini.

Hajdini thotë po ashtu se, aktualisht kanë një kontratë me një institucion shtetëror për shfrytëzimin e parkingut dhe një aneks shtesë.

Ai po ashtu tha se pronarët e automjeteve do t’i largojnë vetë ato.

Sipas tij, për veprimet e sotme janë njoftuar Inspektorati, Komuna dhe Policia.

Hajdini ka bërë të ditur se “Trepça” është në procedura për këtë parking që nga viti 2024, por deri më tani, sipas tij, nuk ka marrë përgjigje konkrete nga institucionet.

Hajdini ka deklaruar se, bazuar në çmimet e tregut në këtë zonë, ndërmarrja llogarit se do të mund të realizonte rreth 45 mijë euro në muaj nga qiraja, apo afërsisht 500 mijë euro në vit.

Përveç të hyrave të parealizuara, sipas Hajdinit, ndërmarrja ka krijuar edhe detyrime tatimore për këtë pronë./KP

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.