Me rastin e festës së 28 Nëntorit, ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj ka kujtuar ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në një rrëfim ekskluziv në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Haradinaj ka thënë se ish-krerët e UÇK-së po përballen me padrejtësi në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Për shqiptarët, ata janë padrejtësisht aty ku janë, por nuk është e tepërt nëse e përsërisim edhe në këtë studio se shumë procese gjyqësore ka kaluar UÇK-ja mas luftës”, ka thënë Haradinaj.
Teksa ka rrëfyer sfidat e UÇK-së në përballje me proceset gjyqësore përgjatë viteve, Haradinaj ka thënë se në Hagë po gjykohet lufta e ish-krerëve, e cila është një ndër përpjekjet më të mëdha pas pavarësisë së Shqipërisë.
“Akoma na shqiptarët nuk e kuptojmë se atje në Hagë nuk është duke u gjykuar Rexhep Selimi. Nuk është tu gjyku Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi apo Kadri Veseli sepse ata nuk po gjykohen për Aqarevën ose për Brojën, ata po gjykohen për udhëheqjen e luftës, të cilën ne historikisht e konsiderojmë si përpjekje të paktën më të madhe prej pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Haradinaj. /Gazeta10/