
Dy vajza 13-vjeçare nga Gjakova, të cilat ishin raportuar të zhdukura nga familjarët e tyre, janë gjetur pas disa ditësh kërkime dhe janë intervistuar nga institucionet përgjegjëse.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ishte raportuar nga familjarët, të cilët kishin deklaruar se të miturat me inicialet E.B. dhe Gj.Q. ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe nuk dihej vendndodhja e tyre.
Sipas denoncimeve, njëra nga vajzat ishte larguar nga shtëpia në orët e paradites, ndërsa familjarët kishin kërkuar në vende të ndryshme pa arritur ta gjenin. Ndërkaq, familjarët e vajzës tjetër kishin raportuar se largime të tilla kishin ndodhur edhe më herët.
Hetimet kishin ngritur dyshime se të miturat mund të ishin larguar së bashku.
Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore, vajzat janë lokalizuar dhe janë shoqëruar në Njësinë e Hetimeve në Gjakovë bashkë me prindërit e tyre.
Burimet tregojnë se edhe pasi ishin gjetur fillimisht, të miturat kishin refuzuar të paraqiteshin për intervistim nga zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, duke u larguar sërish nga familjet e tyre.