
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur marrëveshjen Kosovë -Serbi të arritur të mërkurën vonë në Bruksel.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” thuhet në reagimin e Ned Pricë zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Palëve u bëhet thirrje që të përqendrohen tutje “plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve” në dialogun e lehtësuar nga BE.
” Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës.”
Ne reagim po ashtu theksohet se Uashingtoni mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve në plan të parë, ndërsa u kërkohet që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.
“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” theksojnë amerikanët.