
Marcel Sabitzer është bashkuar me Manchester United në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit si huazim nga Bayern Munich.
Mesfushori austriak pritet të rikthehet në verë te Bayerni, pasi huazimi i tij është gjashtë mujor.
Megjithatë Manchester United po planifikon blerjen përfundimtare të austriakut, i cili ka shkëlqyer në “Old Trafford” në këto tre muaj qëndrim.
Sabitzer deri më tani ka zhvilluar 13 ndeshje me fanellën e “Djajve të Kuq”, ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në një tjetër.
Trajneri i United, Erik Ten Hag është i kënaqur me paraqitjen e austriakut dhe ka kërkuar nga drejtuesit e klubit blerjen permanente të tij.
Pas një viti e gjysmë të vështirë në Munich, Sabitzer është i gatshëm të mbetet në Manchester, ku ka gjetur besimin e duhur.
Për transferimin e përhershëm të 29-vjeçarit austriak, Djajtë e Kuq janë të gatshëm të shpenzojnë 29 milionë euro, shumë që pritet ta kënaq Bayernin që kishin investuar 15 milionë euro në vitin 2021 për blerjen e tij nga RB Leipzig.