
Shërbimet ushtarake dhe zjarrfikësit nga e gjithë Anglia janë dërguar në Uellsin e Jugut për të mbështetur përballimin e zjarreve
Ndërsa zjarrfikësit në Uellsin e Jugut vazhdojnë të luftojnë me tre “incidente të mëdha”, atyre u janë dërguar përforcime nga e gjithë Anglia, përfshirë edhe personel ushtarak.
Shërbimi i Zjarrfikësve të Uellsit të Jugut i tha SkyNews se ekipet e tij vazhdonin të ishin në terren në të gjitha zonat ku ishin raportuar më herët incidentet.
Shërbimi bëri të ditur se po mbështetet në terren nga ekipe dhe mjete të specializuara nga:
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës;
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Bedfordshire;
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Cumbria-s;
Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Cheshire-t;
si dhe personel ushtarak.
Shërbimet e zjarrfikësve dhe forcat policore shpesh mbështeten nga shërbime të tjera në nivel rajonal ose kombëtar gjatë incidenteve të mëdha.
Edhe pse angazhimi i personelit ushtarak nuk është i zakonshëm, një masë e tillë ndërmerret gjatë incidenteve të përmasave të mëdha.
Sipas informacioneve, personeli ushtarak nuk do të angazhohet drejtpërdrejt në vijën e parë të zjarreve, por do të ndihmojë me logjistikën dhe detyra të tjera, duke u mundësuar më shumë zjarrfikësve të përqendrohen në luftimin e zjarreve. Ndër detyrat e tyre mund të jetë edhe krijimi i brezave mbrojtës kundër zjarrit.
Qeveria bëri të ditur se gjithsej rreth 200 pjesëtarë të personelit janë angazhuar për të ndihmuar në përpjekjet për përballimin e situatës dhe fazën e rimëkëmbjes.