
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Një ditë pas vërshimeve në komunën e Gjakovës e Rahovecit, shtabet emergjente kanë vazhduar me pastrimin e zonave të prekura nga reshjet e mëdha. Drejtuesit e këtyre shtabeve kanë thënë se me të gjitha mundësit që kanë, janë duke u munduar të ndihmojnë banorët. Gjatë së dielës, në zonat e vërshuara ishte ministri i bujqësisë Faton Peci, i cili ka njoftuar se do të kompensojnë dëmet e shkaktuara në bujqësi, shkruan Kanal10.
Edhe mëngjesi i së dielës, qyetarët e komunës së Gjakovës e Rahovecit i gjeti të ngujuar nga vërshimet.
Shumë prej tyre e kaluan duke u munduar të pastrojnë rrugët e shtëpitë e dëmtuara nga reshjet e mëdha.
Nga shtabet emergjente të këtyre komunave, thonë se me gjithë mundësitë që kanë, janë duke u dal në ndihmë banorëve.
Shefi i Kabinetit Emergjent në Rahovec, Ali Morina, ka thënë për Kanal10 se janë në pritje të ndihmës nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Në këtë komunë janë vërshuar dhe përmbytur afër 4565 hektar, ndërsa janë rrezikuar afër 11 mijë banorë.
Ndërsa, në Gjakovë rrugët kanë filluar të pastrohen e situata është më e qetë për dallim nga dita e shtunë, thotë Haxhi Sejdiu nga shërbimi emergjent.
Pas vërshimeve janë drejtuar akuza ndaj qytetarëve për hedhjen e mbeturinave nëpër lumenj, por Haxhiu ka thënë se pretendimet se ujërat kanë dal nga shtrati i lumit si shkak i mbeturinave nuk qëndrojnë.
E të dielën, Gjakovën e vizitoi edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili u zotua se dëmet e shkaktuara në bujqësi nga të reshurat, do të kompensohen dhe ekzekutimi i pasgesvae do të fillojë në nëntor.
“Këto dëme do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi, i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse. Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, ka thënë ministri i bujqësisë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën parashihet të mbajë mot relativisht i qetë dhe me ulje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme. /Gazeta10