
Raporti: Bleona Dallaveraj
Kosova vazhdon të jetë me ushtrues të detyrës së kryeprokurorit. Presidentja Vjosa Osmani, ka një vit që nuk po e dekreton propozimin e KPK-së, Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit. Njohësit e sistemit të drejtësisë kanë hedhur kritika ndaj shefes së shtetit, për mos dhënie të epilogut për këtë proces. Ata kanë thënë se mos emërimi i kryeprokurorit shihet si qasje jo serioze në luftimin kundër korrupsionit.
Nga prilli i vitit 2022, emri i Blerim Isufajt, po qëndron në zyre të presidentes Vjosa Osmani, në pritje për ta dekretuar si kryeprokuror të shtetit.
Tash e një vit vazhdon të zvarritet ky proces nga shefja e shtetit, e cila nuk e ka kthyer në pikën zero procesin e zgjedhjes së Blerim Isufajt si kandidat për kryeprokuror nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
E ky mos dekretim nga ana e Osmanit, nga njohësit e sistemit të drejtësisë po shihet si qasje jo serioze në luftimin e korrupsionit.
Ky institucion i lartë shtetëror tash e një vit udhëhiqet me ushtrues detyre.
Avokati Yll Zekaj, thotë se vonesa e përzgjedhjes së kryeprokurorit është e pajustifikueshme.
Kritika në adresë të presidentes ka hedhur edhe avokati Arbër Jashari.
Mos emërimin e një kryeprokurori të ri, ai e ka quajtur mosguxim për ta përfunduar këtë proces, qoftë me dekretim ose duke e kthyer mbrapsht propozimin e KPK-së.
Këshilli Prokurorial i Kosovës me 6 prill 2022 e kishte votuar Blerim Isufajn si kandidat për kryeprokuror.
Ndërkohë, KPK-ja me 21 prill 2022 kishte marrë vendim që prokurori Besim Kelmendi ta ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi Aleksandër Lumezit i ka përfunduar mandati. /Gazeta10/