
Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, duke kërkuar kushte dhe siguri më të madhe për punëtorët.
Aksioni vjen disa ditë pas vdekjes së një punëtori në KEK, raporton Gazeta10.
Kryetari i sindikatës, Xhelal Jashari, tha se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore dhe kërkoi nga institucionet respektimin e ligjit të punës.
Gjatë aksionit u vendosën fotografi të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa sindikata kërkoi që raste të tilla të mos përsëriten.
Për nesër, nga ora 08:00, është paralajmëruar protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut.
Sindikata gjithashtu ka bërë të ditur se do të zhvillojë një aksion simbolik para BSPK-së./Gazeta10
