
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Serbisë, për t’i njohur targat RKS nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Bislimi tha se për dy vite me radhë kjo marrëveshje u përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim.
Siç shprehet Bislimi, me këtë vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe.
Megjithatë, zëvendëskryeministri thotë se ky vendim “nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.
“Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë. Me 30 shtator, u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike, dhe u zhvilluan gjithsej 8 takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022”, u shpreh ai.
Ai potencoi se propozimi i Kosovës që nga fillimi ka qenë që të dyja t’ia njohin targat njëra-tjetrën në modelin aktual.
“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”.
“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës”.
“Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato”, shkroi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.