
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko, në një intervistë për të portalin malazez “Analitika”, ka kritikuar qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian sa i përket tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.
“Së pari barazojnë përgjegjësinë e dy palëve, që nuk përkon fare me realitetin. Beogradi vazhdimisht provokon dhe ngre tensione, duke pritur që të tërheqë palën tjetër në një lloj incidenti që të kenë një arsye për të pushtuar edhe veriun e Kosovës”, ka thënë Biserko, teksa shtoi se Perëndimi është i interesuar t’i japë fund çështjes së Kosovës.
Biserko ka folur edhe për “alarmin” e deputetes britanike, Alicia Kearns, në lidhje me kontrabandimin e armëve nga Serbia dhe ruajtjen e tyre në kishat ortodokse serbe në Kosovë, ndërsa ka shtuar se pjesa veriore e Kosovës, përveçse në “vakuum ligjor e të sigurisë”, kjo zonë është edhe “fole e kriminelëve që sjell miliona fitime çdo ditë”, raporton Albanian Post.
“Deputetja Alicia Kearns me sa duket ka informacione që tregojnë përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në aktivitete të paligjshme. Ajo u shpall menjëherë armike e Serbisë. Duke pasur parasysh aktivitetet e KOS-it në rajon, aktivitete të tilla nuk janë befasi”, ka theksuar Biserko.
Shefja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka ngritur alarmin se po kontrabantohen armë nga Serbia dhe po ruhen në kishat ortodokse serbe, ndërsa transporti bëhet nëpërmjet autoambulancave në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.