
Dëme të mëdha në infrastrukturën rrugore, ekonomi familjare dhe në bujqësi, janë shkaktuar në Podujevë si pasojë e vërshimeve të fundit pas reshjeve të mëdha të shiut.
Gjendja më e rëndë vazhdon të mbetet në fshatin e Pakashticë e Epërme, ku është shembur rruga dhe është e pakalueshme sipër fshatit. Ndërkaq, për pjesën tjetër të rrugës në hyrje të fshatit, Komuna është në përpjekje të vazhdueshme për hapjen e tërësishme të kësaj rruge për banorët.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi për KosovaPress, ka thënë se dëmet infrastrukturore, por edhe të ekonomive familjare janë të mëdha në Llap.
Bulliqi thotë se rruga e Pakashticës është hapur në ato vende ku ka qenë e bllokuar, por shton se dëmet nga shembjet e rrugës mund të kapin shumën mbi gjysmë milioni euro, për çka tha se do të kërkojnë ndihmë nga qeveria për sanimin e saj./Gazeta10
