
Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se i ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në Ferizaj.
Inspektorati tha se gjatë një inspektimi ka konstatuar parregullësi në montimin e vinçit, të cilat u vlerësuan se paraqesnin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
“Inspektorati Qendror i Punës gjatë inspektimit në një objekt ndërtimi në Ferizaj, ka konstatuar parregullësi tek montimi i vinçit , duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Inspektorati tha se mori vendim për pezullimin e punimeve deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës tha se “mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës” dhe apeloi te të gjithë punëdhënësit që “të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës”.