
Raporti Gresa Bardhecaj/Kanal10
Viti i ardhshëm po konsiderohet si mundësi për arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa diplomatët kosovar kanë thënë se qarqet diplomatike të ShBA-së janë optimiste për arritjen e një marrëveshjeje, opozita ka kritikuar Qeverinë për mos transparencë në çështjen e dialogut, shkruan Kanal10.
2023-a po vlerësohet si vit i mundshëm për arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Bashkim Evropian, janë optimiste se brenda vitit të ardhshëm do të ketë një marrëveshje finale.
Spahiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë zgjidhje gjysmake që nuk garanton normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke.
Për dialogun, shefja e Grupit të Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qëllimi është arritja e një marrëveshje me njohje në qendër.
Kurse, opozita ka hedhur akuza për mos transparencë për çështjen e dialogut.
Javë më parë, temë diskutimi ishte një dokument që quhej kornizë e re e dialogut mes dy vendeve, mirëpo një gjë e tillë ishte mohuar dhe demantuar nga Bashkimi Evropian./Gazeta10