
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është zotuar se do të ketë ulje të çmimeve të barnave në Kosovë.
Vitia ka thënë se deri në fund të vitit do të ketë listë zyrtare të çmimeve të produkteve mjekësore.
Duke folur sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvend, ministri tha se nuk do të ketë manipulime me çmimet e barnave.
“Në asnjë depo nuk i ka plotësuar kushtet e barnave që nga viti 2009, dhe që nga viti i kaluar kemi filluar me bisedime. Tani jemi në procedurat në investimet e barnatoreve, të cilat do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Pas procedurave do të fillojmë edhe me investime në depo. Pas nënshkrimit të listës ka ngritje të çmimit mirëpo në momentin qe e kemi parë e kemi diskutuar dhe është anuluar lista”, ka thënë ai.
“Tash po flasim për një proces që nuk ka pasur një ligj që përcakton tavanin e çmimit të produkteve. Është anuluar lista, jemi duke folur për një proces që bëhet për herë të parë në Kosovë, nuk kemi pasur ligj për çmimet në tavan që parandalohen këto çmime. Ky ligj do të respektohet dhe për çdo çmim dhe problematikë jam i gatshëm të jap llogari. Është e vërtetë qe ka pasur vonesa. Pas zbatimit të këtij ligji do iu siguroj që do të ketë ulje të çmimeve dukshëm, lista do të publikohet në fund të këtij viti”, u shpreh Vitia./Gazeta10