
Një marshim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, do të mbahet të martën në Shkup.
Forumi Rinor Shqiptar ka njoftuar se aktiviteti me moton “Liri për çlirimtarët” do të mbahet më 15 shtator, nga ora 18:00, në sheshin “Skënderbej”.
Marshimi organizohet një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Liri për çlirimtarët! Forumi Rinor Shqiptar organizon aktivitet sensibilizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë, në prag të verdiktit përfundimtar”, thuhet në njoftim.
Organizatorët u kanë bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen marshimit dhe të shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
“Nesër ftojmë të gjithë shqiptarët të mblidhemi për t’i dhënë një mesazh gjykatës se ata të cilët u vunë në shërbim të lirisë nën emblemën e UÇK-së, nuk ka gjykatë që i gjykon, sepse UÇK-ja është e pastër. Nga Shkupi do të përcjellim zërin tonë të fuqishëm të solidaritetit dhe mbështetjes”, thuhet në njoftimin e Forumit Rinor Shqiptar.
Sipas organizatorëve, UÇK-ja është pjesë e historisë dhe e lirisë së shqiptarëve, ndërsa luftëtarët e saj, siç thuhet në njoftim, meritojnë drejtësi.
“UÇK-ja është pjesë e historisë dhe lirisë së shqiptarëve. Luftëtarët e lirisë meritojnë vetëm drejtësi. Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët!”, përfundon njoftimi.
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë. Katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.