Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vizioni i ri i PDK-së, përfaqësim i barabartë gjinor, 50/50 në të gjitha nivelet

Gazeta10
24 September 2022 - 11:16

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes, raporton Gazeta10.

Në shpalosjen e vizionit i cili do të përfaqësojë PDK-në në rrugëtimin përpara, Krasniqi ka thënë se 50 % me 50 % është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin nuk do të ndalen asnjëherë.

“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50 % me 50 % është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka bërë të ditur se qysh në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, ai do t’i propozojë ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, ai ka konfirmuar se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozitave udhëheqëse, 50/50, duke përfshirë pozitat e kryetarëve, nënkryetarëve dhe sekretarëve.

“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për kryetare ose kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar”, ka shtuar Krasniqi.

Kryetari Krasniqi është zotuar se PDK do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 % me 50 % deri në vitin 2025, por që nuk do të presin deri atëherë për të realizuar këtë objektiv.

Në fund, lideri i PDK-së ka thënë se është tejkaluar koha kur partia është dashur që ta ketë një organizatë të ndarë të grave, për t’ju qasur votueseve gra./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.