
Kandidatja për presidente Vjosa Osmani ka bërë të ditur se profesori Lulzim Zeneli i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se pas shumë vitesh angazhim në jetën akademike, shkencore dhe profesionale, Prof. Dr. Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, më shumë stabilitet dhe më shumë përfshirje të dijes dhe ekspertizës në politikëbërje.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për bashkim të vlerave, përvojës dhe njerëzve që kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të saj.
Postimi i plotë:
Një rikthim përtej politikës, një angazhim për shtetin
Sot, Prof. Dr. Lulzim Zeneli rikthehet në garën politike dhe na bashkohet për të dhënë kontributin e tij në fuqizimin e shtetit, rritjen e LDK-së dhe në vazhdimin e rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.
Me përvojën e tij të gjatë politike, akademike dhe institucionale, si bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova dhe Akademik Nexhat Dacit, ish-deputet për tri mandate dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ai rikthehet për të sjellë përvojë, maturi politike dhe vizion në një kohë të rëndësishme për vendin.
Pas shumë vitesh angazhim në jetën akademike, shkencore dhe profesionale, Prof. Dr. Zeneli rikthehet me bindjen se Kosova ka nevojë për më shumë kulturë institucionale, më shumë stabilitet dhe më shumë përfshirje të dijes dhe ekspertizës në politikëbërje.
Kosova ka nevojë për bashkim të vlerave, përvojës dhe njerëzve që kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të saj.
Rikthimi i Prof. Dr. Lulzim Zenelit është një mesazh i qartë për forcimin e frymës institucionale dhe vazhdimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.
Mirë se na u riktheve, Profesor Lulzim