
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e mikut të tij nga pakujdesia, e cila ndodhi të dielën derisa kishin dalë për gjueti në Kolovicë të Prishtinës. Të dyja familjet prapa kamerës thonë se kanë miqësi që shumë vite dhe gjuetia është traditë tashmë e tyre, dhe se nuk kanë pasur asnjë mosmarrëveshje, shkruan Kanal10.
30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria Themelore në Prishtinë ndaj të dyshuarit për vrasjen e së dielës në Kolovicë të Prishtinës.
Ngjarja ka ndodhur, derisa të dy shokët kishin dal për gjueti.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, po ashtu ka njoftuar se në vendngjarje janë sekuestruar edhe armë pa leje.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje nga pakujdesia, ngase i dyshuari Përparim Canolli kishte shtënë pa dashje me armë drejt mikut të tij, Fidaim Beka.
38-vjeçari kishte vdekur në QKUK, derisa të afërmit thonë se miqësia mes tyre është e kamotshme dhe se që të dy kanë dalë shpesh për gjueti.
Familjarët prapa kamerave thanë se të njëjtit asnjëherë nuk kishin pasur probleme mes vete. Mirëpo, sipas tyre kjo ngjarje ka ndodhur aksidentalisht.
Familjarët, poashtu të hënën, kanë thënë se familjes Canolli, do t’i bëhet falja e gjakut, ngase gjithçka ka ndodhur rastësisht.
I ndjeri është varrosur të hënën, në fshatin Koliq të Prishtinës. /Gazeta10