Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e dispozitave të kundërligjshme në Rregulloren e KQZ-së për vëzhguesit e zgjedhjeve

Gazeta10
03 August 2026 - 12:23

Instituti Demokratik i Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për shfuqizimin e dispozitave të kontestuara të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve. Sipas Gjykatës, këto dispozita tejkalonin Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke vendosur kushte dhe kufizime të reja për akreditimin dhe veprimtarinë e vëzhguesve.

Përmes, një komunikate për media IKD vlerëson se dispozitat e shfuqizuara i jepnin KQZ-së kompetencë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave pa bazë të qartë ligjore, zgjeronin kërkesat për dokumentacion ndaj organizatave vëzhguese dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave. Këto rregulla linin hapësirë për vendimmarrje arbitrare dhe mund të kufizonin pjesëmarrjen e akterëve të pavarur në monitorimin e zgjedhjeve.

Rregullorja po ashtu kufizonte pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky kufizim në anën tjeter nuk vlente edhe për komisionerët që mund të ishin në procedura hetimore. Për më tepër, rregullorja kufizonte qasjen e akterëve në mbledhjet publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i këtyre mbledhjeve garantohet me ligj.

KDI kishte vlerësuar se këto dispozita jo vetëm që tejkalonin ligjin, por edhe rrezikonin të dobësonin rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e proceseve zgjedhore. Një kufizim i tillë do të cenonte transparencën, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.

Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë në ligj. Ky aktgjykim vendos një standard të rëndësishëm për administrimin e proceseve zgjedhore dhe për respektimin e parimeve të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe transparencës.

KDI i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.