
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një intervistë dhënë mbrëmë në RTS ka folur për propozimin europian, duke thënë se nuk do ta implementojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ndërkaq, kjo çështje adresohet në nenin 4 të propozimit europian. Aty thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Por, Vuçiq që ka refuzuar të hënën nënshkrimin e propozimit thotë se nuk do ta implementojë këtë pjesë.
“Për aq kohë sa jam President i Republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as informale të Kosovës, as anëtarësimin në OKB. Kështu që unë nuk do të zbatoj OKB-në dhe anëtarësimin në OKB, apo diçka të ngjashme. E kam përsëritur tashmë 50 herë. Dhe mos me shiko sikur ke rënë nga Marsi, sepse e ke degjuar në Kuvend dhe sonte tashmë 4 herë. Prandaj, ne jemi duke bërë një plan zbatimi, për çka Lajçaku do të vijë edhe këtu edhe në Prishtinë. Kur të vijnë tek ne dhe tek ata, ne dhe ata do të propozojmë diçka. Dhe unë po ju them, unë jam gati të flas dhe të negocioj për gjithçka tjetër, si për planin e zbatimit, por nuk do ta nënshkruaj këtë”, deklaroi Vuçiq. /Gazeta10