
Shefi i EULEX, Lars Gunnar Wigemark, ka thënë se patrulla e EULEX është sulmuar duke iu afruar barrikadave afër Rudarit në veri të Mitrovicës, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se në këto barrikada ka pasur popullatë serbe.
“Patrulla jonë u sulmua duke iu afruar barrikadave afër Rudarit në veri të Mitrovicës, në këto barrikada kishte popullatë serbe, por nuk mund të them me 100% siguri se kush e hodhi bombën trullosëse. Falënderoj për deklaratat e presidentit Vuçiq dhe të tjerëve në të cilat kërkohet që EULEX-i dhe KFOR-i të mos sulmohen dhe se ne jemi këtu për të përmbushur mandatin tonë”, tha ai.
Më tej, ai ka thënë se popullata atje pavarësisht etnisë janë të shqetësuar.
Tutje, ai ka thënë se njerëzit janë të frikësuar dhe se ka një vakum sigurie.
“Siç e dini, ka një sërë barrikadash në rrugë, veçanërisht në rrugën nga Mitrovica për në Leposaviq, Jarinje dhe më tej për në Serbi. Gjithashtu, ka edhe disa barrikada të tjera. Në përgjithësi, mendoj se popullata vendase, qofshin ata serbë të Kosovës apo shqiptarë të Kosovës apo grupe të tjera etnike, por sigurisht që po flasim për serbët etnikë dominues që janë shumicë atje, janë shumë të shqetësuar. Njerëzit janë të frikësuar. Ka më shumë se një muaj që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës ka një vakum sigurie”, ka thënë ai. / Gazeta10