
Komentatori politik Xhavit Drenori, në Politiko tha se situata e fundit në kufi nuk duhet të konsiderohet alarmante, duke theksuar se nuk ka hapësirë për panik në rrethanat aktuale.
Sipas tij, fakti që NATO ka konfirmuar se forcat e ushtrisë serbe kanë qenë brenda territorit të tyre dhe se gjithçka ka qenë e koordinuar, e zbeh nevojën për alarm publik.
“Në përkufizimin se gjendja nuk është alarmante dhe nuk ka hapësirë për alarm, sepse edhe NATO ka dalë me deklaratë se janë brenda territorit të tyre dhe është e koordinume, nuk ka vend për alarm,” tha Drenori në Politiko.
Megjithatë, ai e cilësoi situatën si provokim, duke theksuar se manovrat ushtarake mund të ishin zhvilluar në zona të tjera dhe jo pranë kufirit me Kosovën, veçanërisht në një rajon me shumicë shqiptare.
“A është provokim? Unë e shoh si të tillë, sepse ka mundur kudo tjetër me i bë ato manovra dhe jo afër kufirit me Kosovën, aq më pak në një zonë ku ka popullatë me 90% shqiptare,” theksoi ai.
Drenori përmendi gjithashtu raportimet se mund të ketë pasur edhe shkelje të territorit të Kosovës, ndonëse kjo mbetet për t’u verifikuar.
Ai shtoi se Kosova nuk ka kapacitet të plotë për mbrojtjen e kufijve të saj, duke theksuar rolin e KFOR në këtë drejtim.
“Duke pasur parasysh se ne si shtet nuk e kemi në kompetencë dhe në fuqi që t’i mbrojmë kufijtë tanë, kufijtë tanë i mbron NATO, përkatësisht KFOR-i në Kosovë,” deklaroi Drenori.