
Botërori 2026 po hyn në fazën më emocionuese, pasi ndeshjet me eliminim direkt nisin të dielën.
Pas përfundimit të fazës së grupeve, 32 kombëtare vazhdojnë garën me ëndrrën për t’u shpallur kampione të botës.
Megjithatë, asnjë nga ekipet që kanë mbetur në turne nuk mund të mbajë titullin e “kampionit jozyrtar të botës”, pasi ai aktualisht i përket Turqisë, e cila tashmë është eliminuar.
“Kampionati Jozyrtar Botëror i Futbollit” është një mënyrë joformale për të përcaktuar kombëtaren më të mirë në botë.
Ai nisi në vitin 1967, kur Skocia mposhti Anglinë në Kampionatin Britanik, duke i shkaktuar humbjen e parë pas triumfit të saj në Botërorin e vitit 1966.
Rregulli është i thjeshtë: për të fituar titullin, një kombëtare duhet të mposhtë mbajtësen aktuale. Më pas ajo e ruan titullin derisa të mposhtet nga një ekip tjetër.
Anglia ishte mbajtësja e parë e këtij titulli pas fitores 4-2 ndaj Skocisë në ndeshjen e parë ndërkombëtare të futbollit për meshkuj, të zhvilluar në mars të vitit 1873.
Skocia mban rekordin me 86 herë si kampione jozyrtare e botës, ndërsa Argjentina renditet e treta në këtë listë, pas Skocisë dhe Anglisë.
Në një zhvillim interesant, titulli tani i përket Turqisë, pavarësisht se ajo u eliminua në fazën e grupeve të Botërorit 2026.
Turqia hyri në turne si kampione jozyrtare e botës, por e humbi titullin pasi u mposht nga Australia në ndeshjen e parë të grupit.
Australia më pas u mposht nga SHBA, duke bërë që skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino ta mbante titullin vetëm për pak ditë.
Megjithëse SHBA e mbylli Grupin D në vendin e parë, u mund 3-2 nga Turqia në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Edhe pse Turqia e fitoi sërish titullin e kampiones jozyrtare të botës, ajo përfundoi e fundit në grup dhe u eliminua nga turneu.
Kjo do të thotë se Turqia do ta mbajë këtë titull të paktën deri në ndeshjen e saj të ardhshme ndërkombëtare, më 25 shtator, kundër Francë në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Nëse Franca fiton atë takim, “Les Bleus” mund të bëhen njëkohësisht kampionë zyrtarë dhe jozyrtarë të botës, nëse arrijnë të fitojnë edhe Botërorin 2026. Aktualisht, Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë për të ngritur trofeun.
Turqia e mori këtë titull, pasi e mposhti Kosovën më 31 mars në Prishtinë, me kombëtaren dardane që e mbante këtë titull pas fitores ndaj Suedisë në Prishtinë, më 8 shtator.