Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Zbulohet vlera e unazave që do t’i ipen fituesve të Botërorit nga FIFA

Gazeta10
19 July 2026 - 21:10

Për herë të parë në historinë e futbollit, fituesit e Kupës së Botës do të shpërblehen me unaza kampionësh në stilin amerikan pas finales që zhvillohet në New Jersey.

FIFA ka konfirmuar gjithashtu se një numër i kufizuar i këtyre suvenireve luksoze do të dalë në shitje për publikun, megjithëse çmimi i tyre marramendës ka ngjallur reagime në mbarë botën.

Para përballjes së madhe mes Spanjës dhe Argjentinës në New Jersey, FIFA ka prezantuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën tradicionale të festimit të triumfit.

Duke ndjekur traditën e njohur të ligave amerikane si NFL, NBA dhe MLB, organi qeverisës i futbollit ka njoftuar se kampionët e botës do të marrin unaza të personalizuara të kampionit.

Futja e këtyre unazave shënon një ndryshim në mënyrën se si futbolli do ta përkujtojë arritjen më të madhe të tij.

Medaljet e arta do të vazhdojnë t’u ndahen lojtarëve dhe stafit teknik, sipas traditës, por unazat e zbukuruara me gurë të çmuar do të jenë një shpërblim prestigjioz shtesë.

Ndërsa 30 unaza ekskluzive janë rezervuar për skuadrën fituese, FIFA ka konfirmuar, sipas “The Sun”, se do të prodhohen edhe 1.996 unaza për shitje publike.

Megjithatë, tifozët që dëshirojnë të zotërojnë një pjesë të historisë do të duhet të kenë mundësi të mëdha financiare, pasi çmimi i secilës unazë është vendosur në plot 112 mijë funte.

Dizajni i unazave pritet të jetë po aq luksoz sa edhe çmimi i tyre. Sipas FIFA-s, pamja e tyre do të jetë “e përqendruar rreth identitetit të ekipit fitues”, ndërsa secila unazë do të përshtatet individualisht për mbajtësin e saj.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i famshëm i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të përmbajë elemente personale që lidhen me kampionët.

Në deklaratën zyrtare për prezantimin e këtij projekti, FIFA theksoi rëndësinë e këtij hapi për futbollin botëror.

“Për herë të parë në historinë e një kompeticioni të FIFA-s, fituesit e turneut do të marrin gjithashtu unaza të personalizuara kampioni, duke sjellë një nga traditat më të njohura të sportit amerikan edhe në futbollin botëror”, thuhet në deklaratë.

FIFA sqaroi gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së këtyre unazave luksoze, duke theksuar se vetëm një numër shumë i vogël njerëzish në botë do të kenë mundësinë t’i blejnë ato.

“Nga këto unaza, 30 do t’i dhurohen ekipit fitues, ndërsa 1.996 do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën si produkt zyrtar i licencuar, duke u dhënë atyre mundësinë të zotërojnë një pjesë unike të historisë së Kupës së Botës FIFA 2026”, përfundon deklarata.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.