
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për medie me homologun malazez, Dritan Abazoviq, ka folur për marrëdhëniet e mira ndërmet dy vendeve, derisa ka vlerësuar lartë marrëveshjen e nënshkruar.
Kurti tha se kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi vitin e fundit dhe se gjatë vitit 2022 mbi gjysmë-milion të qytetarëve janë regjistruar si hyrje dalje mes Kosovës e Malit të Zi.
“Marrëveshja për aviacionin civil është shumë e rëndësishme. Një kompani ajrore që ka fluturuar 4 herë në ditë me këtë marrëveshje e shton edhe një fluturim.Deri më tani korridoret shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake, derisa fluturimet komerciale nuk realizoheshin. Por, me marrëveshjen që nënshkruam sot hapet mundësia e fluturimeve për kompanitë ajrore”, ka tënë ai.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq gjatë konferencës për media ka thënë se qasja e Malit të Zi ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se atje kanë ndodhur disa procese politike
“Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembull se si funksionojnë dy shtete fqinje. Jemi në rrugë të duhur që të bëjmë disa projekte që do t’i quaja historike. Ideja jonë është me kriju qasje më të lehtë për dy popujt e vendeve tona. Na vijmë me një mesazh paqësor, miqësor edhe në të ardhmen do të kemi një atmosferë ku do të japim shembull. Në Mal të Zi kanë ndodhë disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshon qasjen ndaj Kosovës. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona të përkrahim Kosovën”, theksoi ai.
Gjithashtu, ai shtoi se “ardhmërinë tonë e shohim në Bashkimin Evropian, edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë treguar që me drejtësinë e tyre kundër korrupsionit kanë pasur shumë sukses”./Gazeta10