Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Zhvillimet në veri, Jashari: Kemi dhënë shumë në luftë dhe në paqe

Gazeta10
13 December 2022 - 13:55

Ish Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar lidhur me zhvillimet në veri, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se veprimet e fundit të policisë janë në funksion të zbatimit të detyrave në bazë të Kushtetutës.

Më tej, ai ka thënë se shtrirja e sovranitetit është obligim që duhet të realizohet.

Tutje, Jashari ka thënë se Kosova është shembull për të drejtat dhe respektimin e pakicave etnike.

Tutje, Jashari ka thënë se është i rëndësishëm unifikimi i sferës politike.

Këtu keni statusin e plotë:

“Republika e Kosovës si shtet i pavarur, është ndërtuar mbi parimet demokratike që sigurojnë liri dhe të drejta të plota për secilin qytetar të saj, pa dallim.

Veprimet e fundit të shtetit tonë, policisë së shtetit nuk duhet të shikohen e gjykohen ndryshe pos si zbatim i detyrave të përcaktuara nga kushtetuta jonë e të njohura edhe me konventa nderkombëtare. Shtrirja e sovranitetit shtetëror në çdo cep të territorit është obligim që duhet realizuar medoemos.

Si shtet i ri, nga negociatat e shumta që kemi pasur kemi bërë kompromise të dhimbshme në emër të ruajtjes së paqes, stabilitetit rajonal dhe miqësisë nderkombëtare.

Me të drejtat që ua kemi garantuar me kushtetutë komuniteteve pakicë, kemi dhënë shembull në Evropë dhe botë sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave në shkollim, punësim, pjesëmarrje në qeverisje etj.

Pra kemi dhënë aq shumë në luftë dhe në paqe, e po ashtu edhe në tavolinë në negociata e bisedime dhe tani e vetmja gjë që duhet bërë është ofrimi i sigurisë për banorët në veri dhe zhvillimi i kësaj pjese të vendit nëpërmjet punësimit dhe krijimit të perspektivës për të gjithë pa dallim.

Njëkohësisht Evropa dhe mekanizmat tjerë nderkombëtar duhet të shohin politikën destruktive të Beogradit dhe të merren seriozisht me kërcënimet e Serbisë dhe atyre që ende jetojnë me iluzione e propaganda të Millosheviqit të cilat rrezikojnë stabilitetin e ballkanit dhe me gjerë. Barrikadat në veri duhet të largohen menjëherë, qytetarët atje nuk duhet të vazhdojnë të mbahen peng nga politika e Beogradit.

Shtetin tonë nuk mund të kërcenojë dhe as cenojë askush nga Serbia, ne jemi të gatshëm si shtet por edhe si shoqëri që t’i dalim zot vendit tonë, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të lirisë.

Në gjithë këtë rrugë, jetike mbetet unifikimi i spektrit politik në vend për të përmbyllur këtë kapitull, në koordinim të plotë me SHBA-të dhe shtetet e Evropës e botës demokratike.

Krenar me Policinë tonë që pavarësisht rrethanave qendrojnë në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Jashari në llogarinë e tij në Facebook.

Kujtojmë se ka disa ditë që në veri janë vendosur barrikadat nga serbët lokal atje dhe nuk janë duke u larguar edhe pasi Kosova ka shtyrë zgjedhjet lokale në komunat veriore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e tjera perëndimore kanë kërkuar heqjen e barrikadave si dhe uljen e tensioneve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.