Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zjarr në rrugët e Prishtinës, protestuesit u vënë flakën kontejnerëve

Gazeta10
05 October 2026 - 20:01

Situata në rrugët e Prishtinës është tensionuar në orët e mbrëmjes, pas eskalimit të protestës para Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit kanë filluar të bllokojnë rrugët përreth Kuvendit, ndërsa në disa pjesë të kryeqytetit janë vënë flakën kontejnerëve, duke krijuar tym dhe kaos në rrugët përreth objektit të legjislativit.

Përveç zjarreve, protestuesit kanë hedhur edhe mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës ka reaguar duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Paraprakisht, Policia kishte formuar një kordon sigurie pranë ndërtesës së Kuvendit, ndërsa në hyrje-daljet e oborrit të Kuvendit janë shtuar forcat policore.

Rreth orës 19:00, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë parë duke u larguar nga ndërtesa e Kuvendit. Protestuesit kanë tentuar t’ua pamundësojnë largimin, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës ka shënuar përshkallëzimin e situatës.

Protesta është zhvilluar në kohën kur në Kuvend ka pasur përplasje politike lidhur me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ndërsa deputetët kanë qenë në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik, situata jashtë Kuvendit ka kaluar në përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Zjarret në kontejnerë dhe bllokimi i rrugëve kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin në këtë pjesë të Prishtinës, ndërsa forcat e rendit vazhdojnë të qëndrojnë në terren.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.