
Ermir Lenjani është pensionuar nga kombëtarja e Shqipërisë në moshën 35-vjeçare.
Anësori i majtë ka zhvilluar 44 paraqitje me kombëtaren kuqezi, prej të cilave kishte shënuar pesë gola.
Lenjani ishte pjesë e Shqipërisë në kualifikimin historik në “EURO 2016” dhe kishte qenë njëri nga lojtarët kyç në atë kohë.
Njoftimin për pensionimin nga kombëtarja, Lenjani e kishte bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim. Jam shumë krenar që emri im është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe që ëndrra ime e fëmijërisë u realizua në vitin 2016, ku bëmë krenarë kombin kuqezi me përfaqësimin historik për herë të parë në një Kampionat Europian. Faleminderit nga zemra shqiptarë. Një kapitull i mbyllur, por një rrugë e përjetshme!”
35-vjeçari aktualisht aktivizohet me skuadrën e Schauffhausen në Zvicër, ekip me të cilin ka kontratë deri në fund të sezonit.