Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët nga Gjykata Speciale

Gazeta10
17 September 2026 - 16:00

128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët. Këto janë dënimet e shqiptuara nga gjykatat me seli në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shtuar edhe katër emra në listën e shqiptarëve të dënuar nga gjykatat ndërkombëtare për krime të lidhura me luftën në Kosovë.

Më 16 shtator, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli fajtorë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi për krime lufte.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Në total, katër dënimet arrijnë në 81 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.

Duke i shtuar këto dënime me ato të dhëna më herët ndaj pjesëtarëve të UÇK-së nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi, në listën e rasteve të përfshira në këtë krahasim rezultojnë tetë shqiptarë të dënuar, me një total prej 128 vjetësh burgim.

Përveç Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në këtë listë janë edhe Salih Mustafa, i cili përfundimisht u dënua me 15 vjet burgim, Pjetër Shala me 13 vjet, Haradin Bala me 13 vjet dhe Lahi Brahimaj me 6 vjet burgim.

Në anën tjetër, në listën e zyrtarëve serbë të dënuar për krime të kryera në Kosovë nga Tribunali i Hagës, janë gjashtë persona, me një total prej 107 vjetësh burgim.

Nebojša Pavković u dënua me 22 vjet, Sreten Lukić me 20 vjet, Vlastimir Đorđević me 18 vjet, Nikola Šainović me 18 vjet, Dragoljub Ojdanić me 15 vjet dhe Vladimir Lazarević me 14 vjet burgim.

Tribunali i Hagës kishte dënuar këta zyrtarë për përgjegjësi të lidhura me krime të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë vitit 1999, përfshirë dëbimin dhe transferimin e dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, vrasje, përndjekje dhe krime të tjera. Në vendimin e Apelit të vitit 2014, dënimet e Šainovićit u ulën në 18 vjet, të Lukiqit në 20 vjet dhe të Lazarevićit në 14 vjet, ndërsa dënimi prej 22 vjetësh ndaj Pavkovićit u la në fuqi.

Kështu, vetëm në listën e rasteve të krahasuara, numri i shqiptarëve të dënuar është më i madh se numri i zyrtarëve serbë të përfshirë në këtë pasqyrë: 8 shqiptarë kundrejt 6 serbëve.

Edhe në kohëzgjatjen e dënimeve, diferenca në këtë listë është 128 vjet burgim ndaj shqiptarëve, kundrejt 107 vjetëve ndaj zyrtarëve serbë, pra 21 vjet më shumë dënime të grumbulluara në listën e rasteve shqiptare.

Infografika nga REL:

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.