
Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest ka reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se ZPS-ja e ka mirërptur aktgjykimin e sotëm në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ajo e ka quajtur atë “të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe drejtësi të vonuar për viktimat“.
“Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Prokurorja e Specializuar.
“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare.”, ka deklaruar ajo.
Prokurorja e Specializuar theksoi se çështja gjyqësore që ZPS-ja paraqiti kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale dhe nuk vë në dyshim ndonjë narrativë historike.
“ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë. ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar West.
“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë.”, ka shtuar ajo.