Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjenden mbetje mortore të disa trupave tjerë në gërmimet në Zubin Potok

Gazeta10
29 July 2026 - 10:43

Gjatë gërmimeve të së martës në Zubin Potok janë gjetur mbetje mortore të disa trupave të tjerë njerëzve.

Kështu bëjnë të ditur burimet e Kanal 10 brenda institucioneve te sigurisë në Kosovë.

Zyrtarisht deri më tani nuk ka patur konfirmim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore apo Ministria e Punëve të Brendshme, por pamjet e siguruara nga Kanal 10 dhe të publikuara të martën, shfaqin qartë gjetjen e kafkës dhe gjymtyrëve të njeriut në zonën e thellë malore te Kalludrës në Zubin Potok.

Të mërkurën në po këtë zonë po zhvillohen gërmimet nga njësitet e specializuara të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe po kryhen hetimet nga prokurorët e specializuar.

Në kuadër të këtij rasti, Policia e Kosovës ka arrestuar në Zubin Potok dy persona të dyshuar, Momir Jakshiq dhe Milojko Bishevac. Sipas Policisë, të dyshuarit po hetohen për veprat penale që lidhen me vrasjen dhe fshehjen e trupave të disa shqiptarëve, të njohur si grupi i intelektualëve të Mitrovicës.

Nuk ka ende detaje shtesë lidhur me identitetin e mbetjeve mortore të gjetura.

Burime të Kanal10 theksojnë se ekziston dyshimi fillestar se mbetjet mortore mund t’u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës dhe Mitrovicës të zhdukur gjatë periudhës së bombardimeve në luftën e Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Kanal 10 e ka cilësuar aksionin e Zubin Potokut si një sukses të institucioneve të Kosovës, por njëkohësisht edhe si një ngjarje të dhimbshme që rikthen kujtimet e vuajtjeve të përjetuara gjatë luftës.

Sipas tij, falë bashkëpunimit ndërinstitucional është arritur të konfirmohet se në lokacionin ku po zhvillohen gërmimet ka mbetje mortore që dyshohet se i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

“Është arritur që, falë bashkëpunimit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale, Institutit për Krime Lufte, AKI-së, si dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të vërtetohet se në këtë lokacion ka mbetje njerëzore, të cilat janë nga lufta e fundit. Ka edhe dyshime të bazuara se për cilin grup shqiptarësh të ekzekutuar bëhet fjalë. Tashmë një grup ka filluar punën intensive,” deklaroi Sveçla për Kanal10.

Sipas tij, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë se Serbia nuk ka ndryshuar dhe se, sipas tij, politika e “ledhatimit” ndaj saj nuk ka sjellë rezultate.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.