
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar lidhur me mungesën e Bordit të Trustit, raporton Gazeta10.
Hoti ka thënë se 2.5 miliardë të kursimeve pensionale janë në mëshirë të fatit pasi që Trusti është pa drejtues që nga 1 marsi.
“Trusti Pensional ka mbetur pa Bord nga data 1 mars 2023. Rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit. Pasojat tanimë po i bartim. Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. “, ka shkruar ai.
Tutje, Hoti ka thënë se në mungesë të Bordit nuk ka se kush të merr vendime për tërheqje të fondeve pensionale nga tregjet financiar ku ka rënie dhe kjo është një papërgjegjësi e Qeverisë.
“Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie. Kjo është papërgjegjësi. Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por është zgjatur edhe për tre muaj. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri.”, ka shkruar ai.
Kjo nuk është hera e parë që Hoti ka hedhur kritika ndaj partisë në pushtet për keqqeverisje kryesisht në sferën ekonomike./Gazeta10